Facebook
Twitter
LinkedIn
Email

E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit

Këneta e Maliqit, – me vitet e gjata për tharjen e saj dhe jetët e sakrifikuara, historitë e tmerreve të punës së detyruar skllavëruese, – ende sot, dhjetëra vite më pas, mban në barkun e vet të zhdukurit pa varr, të cilët u ekzekutuan në vitin 1946 si “sabotatorë”.

Me rastin e 71 vjetorit të ekzekutimit të tyre, përmes dokumenteve nga arkiva AIDSSH, ngjarja u trajtua në konferencën shkencore “E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit”, 21 nëntor 2017. Për realizimin e saj Autoriteti bashkëpunoi me Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Institutin e Historisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Hedhja dritë mbi  këtë ngjarjen, që njihet si ngjarja e inxhinierëve të Kënetës së Maliqit, që kanë lënë shenja të thella në kujtesë, jo vetëm për familjarët e viktimave, por për të gjithë bashkëkohësit, ridimensionon raportin tonë dhe të shoqërisë me të kaluarën totalitare komuniste.

Dhe ne jemi sot së bashku pikërisht për këtë: për të treguar të vërtetat dhe për të qenë të vetëdijshëm për demokracinë e brishtë që po përpiqemi të ndërtojmë, për të rritur breza krenarë për paraardhësit e tyre, të cilët u shkolluan në Perëndim dhe u kthyen për të zbatuar dijet dhe eksperiencat e tyre për të mirën e përbashkët, për ta bërë atdheun e tyre si vendet europiane ku studiuan.

Në dosjen me numër 72 të Degës së Parë të Ish- Sigurimit të Shtetit, lexojmë datën e fillimit të procesit gjyqësor ndaj inxhinierëve të bonifikimit të Kënetës së Maliqit: 8 Nëntor 1946, 5-vjetori i themelimit të PKSH. [1]

Nga materialet e grumbulluara, ku vihet re se faktet mungojnë, lexojmë “plane të predeterminuara”, “marrëveshje të ngushta me misionet e huaja”, “salla gjyqi të mbushura plot me popull”. Kemi të bëjmë me gjyqin e parë politik të regjistruar dhe të filmuar në të tëra fazat e tij: nga arresti e deri në ekzekutim. Shohim përpunimin e parë të imazheve në kuadër të propagandës komuniste që po hidhte hapat e parë për të vijuar sofistikimin në gjyqet e mëvonshme, të cilat për fat të keq, vijuan të ishin shumë të shpeshta dhe çnjerëzore. [2]

Inxhinierët e akuzuar për sabotim, kishin studiuar në Perëndim, madje me rezultate të shkëlqyera si inxhinier Kujtim Beqiri nga Vlora, i dekoruar me Medaljen e Artë në inxhinieri civile në Universitetin e Vjenës. Këta inxhinierë vërtet të talentuar kujtohen nga bashkëkohësit e tyre për punën që kryen për të plotësuar në të tërë aspektet projektimin dhe zbatimin e bonifikimit të Kënetës së Maliqit, por, gjithashtu, edhe të veprave të tjera të rëndësishme për atë kohë si, Moli i Shëngjinit, Ura e Penkovës, Ura e Rrogozhinës, Ura e Mifolit dhe ajo e Mbrostarit, disa prej të cilave i kanë rezistuar viteve.

Në bashkëpunim me Arkivin e Ndërtimit kemi gjetur dhe vëmë në dispozicionin tuaj, projektet e këtyre inxhinierëve të ekspozuara në hyrje të Fakultetit që na mirëpriti dhe bashkëpunoi me ne për organizimin e këtij aktiviteti.

Gjej rastin të falënderoj edhe përfaqësuesit e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, të cilët me kumtesat e tyre hedhin dritë mbi aktivitetin e këtyre inxhinierëve dhe të vërtetat e tyre parë nën këndvështrimin e duhur.

Të përkujtojmë me nderim dhe respekt këta njerëz për kontributet e të cilëve duhet të jemi krenarë: Ing. Abdyl Sharra, ing. Aleks Vasili, gjeometrat Pandeli Zografi dhe Mario Guarnieri, ing. Vasil Mano dhe bashkëshorten e tij, kroaten Zyrika Mano, punëtorët Jani Vasili dhe Anastas Risto, gjeometri Mihal Stratobërdha, llogaritari italian Eugenio Scaturo, ing. Kujtim Beqiri, (mbesa e të cilit me përkushtim punoi për realizimin e këtij aktiviteti), gjeometrat Mirush Përmeti dhe Hans Vala, austriak, shoferin Lambi Napuçe dhe mjekun italian Golfredo Paskual Rizo.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!

*Fjala e kryetares në konferencën shkencore “E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit”, mbajtur në 21 nëntor 2017.


[1] Arkiva e AIDSSH, Dosje- nr, 72, Dega e Parë të Ish- Sigurimit të Shtetit.

[2] F. Hetimore dhe Gjyqësore, V. 1946, D. 944-a, Procesverbali i gjyqit për të pandehurit Mirush Përmeti, Aleks Fili Vasili, Hans Vala, Rizo Paskual Golfredo, Lambi Pando Napuçe, 21-25 nëntor 1946. Dosjet hetimore e gjyqësore, V. 1946, D. 1080-A, Procesverbali i gjyqit të sabotatorëve të Maliqit, 8-18 nëntor 1946.

Porto –Palermo, një kamp në tre kohë

Familjarë të mbijetuar të këtij kampi dhe kampeve të ngritura në Shqipërinë staliniste Të nderuar të ftuar, Mirëserdhët këtu me ne në përkujtimin  e 23 gushtit, ditës që nderon viktimat